Skuadra triumfuese e Argjentinës, fituese e Kupës së Botës, u detyrua të përfundonte paradën e saj të fitores në Buenos Aires me një fluturim me helikopter pasi turma prej miliona njerëzish ndaloi autobusin.
Rrugët e kryeqytetit u mbushën nga miliona mbështetës të entuziazmuar për kthimin në shtëpi të Lionel Messi-t dhe skuadrës që fitoi me penallti kundër Francës në Katar.
Por udhëtimi i planifikuar u ndal para pikës së tij përfundimtare për çështje sigurie.
Nëpër video në rrjete sociale, dukeshin tifozë që përpiqeshin të shkonin afër futbollistëve duke u ngjitur nga pjesa e pasme e autobusit. Një prej tifozëve u ul në mesin e pasagjerëve në autobus.
Policia duhej të ndante njerëzit për të lejuar autobusin të lëvizte përpara drejt qendrës së qytetit. Por në fund ata nuk mund të shkonin më tej.