Përpara se të ishte një ndër lojtarët më të komentuar të shtëpisë së “Big Brother”, Luiz Ejlli ka edhe një karrierë jo pak të rëndësishme në muzikë, teksa ka fituar edhe 2 prej 3 eventeve më të mëdha muzikore në vend.
Kështu, shkodrani njihet fillimisht për pjesëmarrjen në “Ethet e Së Premtes”, madje për fitoren në edicionin e dytë të talent show-t, ndërsa nga ana tjetër ai ka arritur të triumfojë si në Festivalin e RTSH, duke na përfaqësuar në Eurovizion, po ashtu edhe në “Këngën Magjike”.
Në këtë të fundit ai ka fituar së bashku me Juliana Pashën, me këngën hit të asaj kohe, “Sa e shite Zemrën”, ndërsa tani këngëtarja, nisur nga ajo që po ndodh me kolegun e saj në reality show, është “detyruar” të bëjë një reagim në rrjetet social.
Sic thotë ajo, ndjekësit e programit, sidomos fansat e Luizit, kanë kërkuar që të thotë diçka në lidhje me historinë e këngëtarit brenda në shtëpi.
Në profilin e saj në Instagram, ajo ka shpërndarë një video që fillimisht në fakt e ka ndarë në TikTok, duke bashkangjitur shkrimin:
“Për të gjithë ju që më keni dërguar mesazhe pafund për Luizin. Sigurisht që e kam mbështetur pikërisht aty ku janë mbledhur të gjithë fansat dhe mbështetësit e tij,në TikTok. I uroj të ketë një mëndje të kthjellët, të pastër dhe shëndet të plotë”