Prej kohësh, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po zhvillohet një program, i cili zbërthen anën inxhinierike të objekteve të panjohura ajrore.
Ryan Graves, ish-pilot i Marinës tha:
“Objektet e paidentifikuara janë në hapësirën tonë ajrore. Këto pamje që shihni nuk janë të rralla ose të izoluara. Ushtarakët, ekuipazhet ajrore dhe pilotët komercialë, vëzhguesit e trajnuar janë shpesh dëshmitarë të këtyre fenomeneve. Zyrtarët e qeverisë sonë janë të vetëdijshëm për praninë e tyre, por informacioni për ato mbahet i fshehur. Që nga viti 2021, të gjitha videot e UFO-ve klasifikohen si sekrete. Ky nivel sekreti nxit spekulime dhe mosbesim“.
Para Kongresit ata i bënë thirrje qeverisë që të jenë më transparent në lidhje me praninë e këtyre objekteve pasi janë një kërcënim për sigurinë kombëtare. Ish-komandanti David Fravor thotë se kishte regjistruar në brigjet e Kalifornisë një fluturim të një objekti, të njohur si “Tic-Tac”.
“Po, ato janë një kërcënim. Teknologjia është përtej çdo gjëje që kemi. Në 2004 regjistruam objektin që fluturonte. Nuk është shaka. Është një çështje e sigurisë kombëtare, pasi UFO që identifikuam në atë vit çaktivizoi plotësisht radarin në aeroplan. Ky është një shqetësim”, tha ai.
Ata u shprehën gjithashtu se ka të ngjarë që SHBA-të të ketë qenë në dijeni të aktivitetit “jo-njerëzor”, ndërsa prej kohësh Pentagoni i ka mohuar pretendimet.
Javën e kaluar zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby u shpreh se UFO-t janë një çështje e sigurisë kombëtare që ia vlen të rishikohet dhe në disa raste këto dukuri kanë ndikuar në trajnimin ushtarak të pilotëve.