Johnny Depp dhe ish-bashkëshortja e tij Amber Heard më në fund e kanë mbyllur “telenovelën” ligjore dhe jo vetëm mes tyre, duke rënë dakord për të zgjidhur pretendimet për shpifje kundër njëri-tjetrit.
Kështu, divorci tashmë më i famshëm në Hollywood ka mbaruar, me avokatët e çiftit që kanë arritur një marrëveshje mes tyre dhe si përfundim kompania e sigurimeve të Heard do t’i paguajë Depp-it 1 milion dollarë, për t’i dhënë fund cështjes.
Pavarësisht se Johnny e fitoi gjyqin, aktorja nuk ka pranuar asnjë faj dhe ishte gati ta apelonte vendimin.
Në fakt, ndarja e tyre mund të jetë bërë e njohur së fundmi për ju, por dyshja ka qenë përfshirë në një betejë të ashpër ligjore në të dy anët e Atlantikut, gjatë 6 viteve të fundit pasi fillimisht Heard pretendoi se ishte viktimë e dhunës gjatë martesës së tyre të shkurtër.
Gjyqi i zhvilluar më parë në Londër përfundoi në favor të saj, por i dyti në Fairfax, Virxhinia, i nisur nga Depp në fillim të këtij viti doli në anën e aktorit.
Në fund të gjyqit të dytë aktorja 36-vjeçare u urdhërua të paguante 10 milionë dollarë dëmshpërblim dhe 5 milionë dollarë (më vonë u reduktuan në 365,000 dollarë) si dëmshpërblim pas shpifjes ndaj Depp.
Ndërsa artisti 59-vjeçar u urdhërua që t’i jepte 2 milionë dollarë ish-bashkëshortes, për shpifjet e tij.
Ekipet ligjore të çiftit kanë diskutuar për të shmangur “dhimbjen” e një gjyqi të tretë pasi Heard paraqiti apelin.
Një marrëveshje më në fund u bë gjatë fundjavës, me të dyja palët që ranë dakord të japin një deklaratë.
“Amber tani mezi pret të vazhdojë me jetën e saj siç kishte planifikuar të bënte 6 vjet më parë”, tha një burim i afërt me aktoren për “Daily Mail”, duke shtuar:
“Ajo dëshiron ta lërë pas vetes këtë episod fatkeq dhe të kthehet tek ajo që do në jetë; karrierën e saj, familjen dhe kauzat e saj.’’