Me 1 milion Lekë të vjetra është gjobitur Ajas Sulejmani për aksidentin që shkaktoi të dielën në Tiranë, ku në vijat e bardha përplasi çiftin e bashkëshortëve dhe foshnjen e tyre 3-muajshe, duke i lënë të plagosur.
Në gjobën e siguruar nga gazetari i Klan News Besar Bajraktari, Sulejmanit i është pezulluar patenta edhe për 2 vjet përveç gjobës.
Shkeljet e kryera nga ai janë mosrregullim i shpejtësisë, kalim i semaforit të kuq, mosdhënie e ndihmës ndaj të aksidentuarve, largim nga vendi i aksidentit.
Por ajo që bie në sy në fletën e gjobës është fakti se Ajas Sulejmani, në nënshkrimin që ka bërë, nuk e pranon këtë gjobë, duke ka shkruar: “Nuk jam dakord”.
Një ditë më parë, 39-vjeçari nën drejtimin e fuoristradës luksoze “Mercedes-Benz G Class” u fut me semafor të kuq dhe përplasi tek vijat e bardha çiftin dhe fëmijën 3-muajsh. Në pamundësi për të ndaluar Sulejmani tentoi të devijonte, por kjo nuk e shmangu aksidentin e frikshëm.
Pas përplasjes Ajas Sulejmani u largua nga vendngjarja por arratia zgjati vetëm 2 orë, pasi 39-vjeçari u arrestua nga policia rrugore në një spital privat. Pas arrestimit ai rezultoi nën efektin e lëndëve narkotike.
Burimi: /tvklan.al