Aleks Vishaj, i cili disa ditë më parë publikoi video duke ecur me 305 km/h me mjetin luksoz në tunelin e Kalimashit ku rrezikoi jetën e të tjerëve është shoqëruar në polici.
Ai u identifikua sot nga efektivët në Tiranë, ku edhe iu komunikua gjoba 100 mijë lekë të reja dhe iu bllokua automjeti.
Visha është justifikuar se nuk po e drejtonte ai mjetin kur miku i tij Kleviol Ahmeti, i njohur si Cllevio Serbiano, po xhironte videon teksa shpëtoi për fije floku pa përplasur makinën që kishin përpara.
Megjithatë, Visha nuk e ka marrë seriozisht shoqërimin në polici. Edhe këtë moment e ka filmuar për ta shpërndarë në rrjete sociale.
Përpara kishte motorët e policisë që e drejtonin, teksa po shijonte muzikën në makinë dhe tymoste cigare e përshëndeste qytetarët duke i bërë me 2 gishta.
Pas shoqërimit, Policia Rrugore e Tiranës i ka bërë thirrje drejtuesve të automjeteve që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe apelon gjithashtu për ndalimin e publikimeve që kanë karakter joedukativ për sigurinë rrugore.
“Qarkulloi me shpejtësi 305km/h, në tunelin e Kalimashit, Policia Rrugore e Tiranës identifikon dhe bllokon automjetin “Lamborghini”. Shoqërohet në Komisariatin Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, drejtuesi i automjetit, shtetasi A. V. Pas publikimit në rrjetet sociale, të një videoje në të cilën shfaqej një automjet që qarkullonte me shpejtësi 305 km/h, Policia Rrugore e Tiranës ka intensifikuar punën për identifikimin e automjetit dhe të drejtuesit të tij. Në bazë të pamjeve filmike të siguruara, është identifikuar dhe ndaluar automjeti tip “Lamborghini” me drejtues shtetasin A. V., të cilin e Policia e ka shoqëruar në Komisariat. Ndaj drejtuesit të automjetit u mor masë administrative 100 000 lekë të rinj. Policia Rrugore e Tiranës apelon për drejtuesit e automjeteve që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe apelon gjithashtu për ndalimin e publikimeve që kanë karakter joedukativ për sigurinë rrugore”, sipas njoftimit të policisë.