Artistja shqiptare Elsa Lila “rrëmbeu” vendin e parë në edicionin e 61-të të Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar.
Ajo u shpall fituese nga votat e jurisë, ndonëse publiku votoi Albina Kelmendin dhe familjen e saj për ta përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision.
Menjëherë pas përfundimit të Festivalit nisën aludimet se për shkak të hatërmbetjes, Elsa nuk ka pranuar të marrë trofeun.
Por më në fund çdo gjë është e qartë! Elsa jo vetëm që nuk e ka refuzuar trofeun e fitores, por ka shkuar pranë zyrave të RTSH për ta marrë së bashku me të bijën. Fotot nga ky moment i bukur janë ndarë me publikun në Instagramin zyrtar të Radio Televizion Shqiptar.
“Ishte një nga interpretimet më emocionuese, e më të ndjera në jetën e saj, ai që riktheu pas 25 vitesh, në skenën e madhe të Festivalit të Këngës, Elsa Lilën. “Evita”, kënga kushtuar vajzës së saj, drithëroi Pallatin e Kongreseve dhe u duartrokit fort jo vetëm nga publiku në sallë, por edhe audienca e gjerë e cila nuk kurseu dashurinë dhe komentet pozitive për artisten. Elsa mahniti me paraqitjen e saj brilante, interpretimin e fuqishëm, zërin dhe elegancën në skenë. Mes emocioneve të papërshkrueshme, me spektatore, protagonisten e këngës, Evitën e saj, këngëtarja na dhuroi një performancë të paharrueshme. Performancë e cila rrëmbeu trofeun e çmimit të parë të FEST 61, vlerësuar nga juria profesioniste e Festivalit.
Dhe ky trofe sot është në vendin e vet, në duart e Evitës së vogël e cila rrezaton nga lumturia teksa shoqëron të ëmën për të ndarë emocionet e triumfit të Elsës dhe “Evitës”, shkruhet krahas fotove ku shfaqet Elsa dhe Evita e vogël me troefun në duar.
https://www.instagram.com/p/Cmrm7gUtZ8q/?igshid=YmMyMTA2M2Y=