Dy vëllezërit binjakë, Donald dhe Romeo Veshaj prej pesë vitesh vazhdojnë të përballen me drejtësinë, pasi akuzohen si autorë të një plagosjeje të regjistruar në vitin 2017 në qytetin e Vlorës.
Gazetarja e kronikës, Anduena Llabani bën me dije se më 27 Maj do të zhvillohet seanca në Gjykatën e Lartë për dy vëllezërit komedianë, pas ankimimit të vendimit të Apelit nga Prokuroria e Vlorës. Gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit i ka lënë jashtë qelisë dy vëllezërit vlonjatë.
Mbi Donald dhe Romeo Veshajn, tashmë personazhe publikë, rëndon akuza për veprën penale “plagosje e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim. Sipas Kodit Penal, shpallja fajtor për këtë vepër dënohet nga tre deri në 10 vjet burgim.
Postimi i gazetares:
Një ngjarje e pesë viteve më parë që ka protagonistë dy aktorët vlonjatë Romeo dhe Donald Veshaj, rikthehet sërish në vëmendje për shqyrtim në gjykatë. Dy vëllezërit Veshaj, fytyra të njohura të ekranit, rezultojnë prej disa vitesh në përballje me drejtësinë.
Kjo pasi në vitin 2017, ata janë dënuar nga Gjykata e Vlorës për veprën penale “plagosje e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim (Neni 88/1 e 25 i Kodit Penal). Përballë një vendimi të butë të dhënë nga shkalla e parë e gjyqësorit, ku dy vëllezërit vijonin të lirë dhe apelit të Prokurorisë, shkalla e dytë e la në fuqi vendimin e shkallës së parë.
Mirëpo e pakënaqur me vendimin e Apelit, Prokuroria e Vlorës e ka dërguar rastin për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë. Kjo e fundit e ka regjistruar rekursin dhe ka caktuar si datën e seancës së parë 27 majin.
Ngjarja për të cilën akuzohen dy vëllezërit duket se ka kaluar në heshtje, ashtu sikundër dënimi i cili i ka lënë jashtë qelisë dy aktorët.
Neni 88
Plagosja e rëndë me dashje
(Ndryshuar paragrafi i dytë meligjin nr.144, datë 2.5.2013, neni 18) Plagosja e kryer me dashje që ka sjellë si pasojë gjymtimin, shëmtimin ose çdo dëmtim tjetër të përhershëm të shëndetit, ndërprerjen e shtatzanisë, ose ka qenë e rrezikshme për jetën në çastin e shkaktimit të saj, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet. Po kjo vepër, kur është kryer kundër disa personave, kundër personit që është bashkëshort, ishbashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt me autorin e veprës penale, ose kur ka sjellë si pasojë vdekjen, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.
Plagosja e rëndë, e kryer në gjendje të tronditjes të fortë psikike të çastit, shkaktuar nga dhuna ose fyerja e rëndë nga ana e të dëmtuarit, dënohet me burgim gjer në pesë vjet.
Burimi: /Voxnews.al