Në fund të viteve 2000, këngëtarja britanike Duffy mori një famë të madhe të menjëhershme, duke publikuar disa hite të pavdekshme.
Mirëpo, pak kohë më pas ajo u zhduk pa lënë gjurmë dhe i ka munguar skenës prej më shumë se një dekade.
Së fundmi, këngëtarja ka treguar në një postim në faqen e saj të internetit se është rrëmbyer dhe përdhunuar, dhe i është dashur të bëjë një rrugë të gjatë drejt shërimit nga trauma.
“Ishte ditëlindja ime, u drogova në një restorant, më pas u drogova për katër javë dhe udhëtova në një vend të huaj”, shkruan Duffy, duke mos e zbuluar emrin e autorit. “Nuk ndihesha e sigurt të shkoja në polici. Ndjeva se nëse diçka shkon keq, unë do të isha e vdekur dhe ai do të më kishte vrarë. Nuk mund të rrezikoja që lajmi të përhapej në media. Më duhej vërtet të ndiqja instinktet që kisha.”
Ajo arriti të arratisej, por jetoi e izoluar për vite me radhë dhe, më në fund, shkoi në polici.
“Identiteti i përdhunuesit duhet të trajtohet vetëm nga policia… dhe kjo është mes meje dhe atyre,” -shprehet Duffy.
Duffy thotë se në një moment kishte menduar të ndryshonte emrin e saj për t’u zhdukur në një vend tjetër, ku të fillonte një jetë të re dhe të bënte punë të çfarëdoshme, në mënyrë që të mund ta linte pas të kaluarën.
Trauma e kësaj përvoje depërtoi edhe në marrëdhëniet e saj romantike, tregon ajo.
Sa i përket një rikthimi të mundshëm në muzikë, Duffy shprehet optimiste, por pa plane konkrete.
Në vitin 2008, kënga e Duffy-t “Mercy” kaloi pesë javë në krye të top-listave britanike dhe u bë kënga e tretë më e shitur e vitit, duke qëndruar në tabelë për më shumë se një vit. Albumi i saj debutues, “Rockferry”, ishte gjithashtu një hit masiv në Evropë dhe fitoi vlerësimin nga kritikët edhe në SHBA. Albumi i dha asaj një Grammy dhe dominoi Brit Awards me 3 çmime. Albumi shiti 9 milionë kopje globalisht.