Ditën e sotme ka ndërruar jetë në moshën 83-vjeçare, një nga figurat më të spikatura të Baletit në Shqipëri, Albert Janku.
Lajmin e hidhur e ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale Teatri Kombetar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor.
Janku ishte një ndër solistët e parë të baletit shqiptar, i cili ka zënë një vend të rëndësishëm nderi në jetën artistike dhe në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit.
Postimin e plotë të Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor e gjeni më poshtë, për të rikujtuar edhe një herë kush ishte i madhi Albert Janku.
“Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, me hidhërim të thellë mësoi për ndarjen nga jeta, në moshën 83 vjeçare, të një nga figurave më të spikatura të Baletit, “Artistit të Merituar” Albert Janku. Një ndër solistët e parë të baletit shqiptar, i cili ka zënë një vend të rëndësishëm nderi në jetën artistike dhe në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit. Një karrierë që e nisi në vitin 1955 si kërcimtar e si solist i baletit dhe për 40 vite me rradhë i dhuroi skenës shqiptare me dhjetra role. Spikasin rolet në baletet kombëtare si atë të Jonuz Bruges në baletin “Bijtë e Peshkatarit”, të komisarit në baletin “Fatosi Partizan” të Benit në rapsodinë koreografike “Historia e një kënge”, atë te Bektash Agës në baletin “Halili dhe Hajria”, të Don Markut në baletin “Cuca e Maleve”. Interpretues i shumë roleve edhe në baletet e huaja të vëna në skenë nga Teatri i Operas dhe Baletit si në baletin “Francesca da Rimini”, baletin “Lola”, “Fadeda”, “Zhurale”, “Laurencia”, “Don Kishot: etj. Albert Janku ka marrë pjesë edhe në një seri numrash koncertalë të dhëna në TKOB dhe jashtë kufijve të vendit me trupën e baletit dhe atë të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, ku ka spikatur talenti i tij duke marrë vlerësime nga kritika e publiku. Nderuar me titullin “Artist i Merituar”, edhe pse në moshë të thyer nuk u shkëput nga ky teatër, duke ndjekur me vëmendje çdo shfaqje që është vënë në skenë. Nuk ka munguar kontributi i tij edhe në fushën e pedagogjisë, si koorepetitor, konsulent në mjaft balete, autor i shumë artikujve mbi baletin, portrete artistësh e monografish.Në emër të drejtuesve dhe artistëve të TKOBAP-së, i shprehim ngushëllime familjes, miqve dhe kolegëve të botës së baletit e artit. U prehtë në paqe!”