Bronny James, i biri i legjendës së NBA, Lebron James, është transportuar me urgjencë në spital në Los Anxheles, pasi pësoi arrest kardiak gjatë një stërvitjes në fushën e basketbollit.
Sipas “People” 18-vjeçari ishte stërvitje me ekipin e tij në Universitetin e Kalifornisë Jugore kur ndodhi incidenti, teksa informacioni zyrtar i shpërndarë nga një përfaqësues i familjes James thotë:
“Dje teksa po ushtrohej, Bronny James pësoi një arrest kardiak. Stafi mjekësor ishte në gjendje ta trajtonte Bronny-n dhe ta çonte në spital. Ai tani është në gjendje stabile dhe ka dalë nga njësia e kujdesit intensiv (ICU). Kërkojmë respekt dhe privatësi për familjen James dhe do të përditësojmë mediat kur të ketë më shumë informacion. Lebron dhe Savannah dëshirojnë të dërgojnë publikisht falënderimet dhe vlerësimin e tyre më të thellë për stafin mjekësor dhe atletik të USC për punën dhe përkushtimin e tyre të jashtëzakonshëm për sigurinë e atletëve të tyre.”
Ndërkohë sipas TMZ, gjendja e Bronny u konsiderua alarmante fillimisht, por ndërhyja e mjekëve dhe më pas transporti në spital e stabilizuan.
18-vjeçari është djali i madh i Lebron dhe u diplomua nga shkolla e mesme e Sierra Canyon në maj dhe kishte njoftuar se do të shkonte në USC për të luajtur basketboll në fillim të atij muaji.