Amber Heard vazhdoi dëshminë e saj në gjyqin e së enjtes duke pretenduar se gjithçka ish-bashkëshorti i saj akuzon janë shpifje.
Në ditën e dytë të dëshmisë së saj, Heard tha se abuzimi fizik prej Johnny Depp e përshkallëzoi situatën në çift duke e çuar dyshen në keqtrajtim të njëri-tjetrit.
“Asgjë nga ato çfarë bëja unë nuk e ndalonte atë të më godiste. Asgjë. U përpoqa për më shumë se 1 vit, ndoshta 2, të mos i përgjigjesha fizikisht, verbalisht, vetëm e shihja. U përpoqa të ngrija, të shkoja në një vend tjetër. U përpoqa derisa e sulmova verbalisht. Derisa e kërcënova që nëse do të më godiste sërish unë do të thërrisja policinë.”- u shpreh Amber.
Depp ka ngritur një padi ndaj Heard për 50 milionë dollarë për një shkrim të vitit 2018 që ajo bëri për The Washington Post, në të cilin e përshkroi veten si një “figurë publike që përfaqëson abuzimin në familje”.
Megjithëse Depp nuk u përmend në artikull, ai pretendon se kjo i kushtoi atij humbjen e roleve shumë të rëndësishme dhe fitimprurëse aktrimi.
Gjatë disa ditëve më parë, ylli i filmave dëshmoi se nuk ka goditur kurrë një grua, duke akuzuar ish-partneren për abuzim verbal dhe fizik.
Ndër të tjera ai rrëfeu me detaje edhe një incident të ndodhur në Australi, si pasojë e të cilit Depp mbeti me një gisht pjesërisht të prerë. Të dy kanë mohuar pretendimet e njëri-tjetrit për abuzim.
Heard dhe Depp u takuan në 2009-ën dhe qëndruan të martuar në vitet 2015-2016.
Gjyqi do të vijojë sërish në 16 maj, pas një pushimi të shkurtër.