Neil Parish, një ligjvënës konservator në Britani, dha dorëheqjen pasi pranoi se kishte parë jo një, por dy herë porno në parlament.
Parish pranoi për BBC se kishte parë porno në një “moment çmendurie”, duke thënë se hera e parë ishte aksidentale. Po e dyta? Epo, jo dhe aq.
Parish, kryetar i Komitetit të Mjedisit, Ushqimit dhe Çështjeve Rurale, tha se ai po përpiqej të shihte një faqe interneti për disa traktorë, por u has me një faqe pornografie me një emër të ngjashëm dhe e pa atë për “pak”.
Mesa duket, Parish harroi që ishte në krye të detyrës.
“Krimi im më i madh është se në një rast tjetër e hapa për herë të dytë,” tha ai për BBC. “Dhe kjo ishte e qëllimshme.” Pra, këtë herë nuk po kërkonte për traktorë.
Një zëdhënës i konservatorëve tha se ata e falënderuan Parish për shërbimin e tij gjatë 12 viteve të fundit. “Ne mbështesim vendimin e tij për të dhënë dorëheqjen si deputeti ynë në parlament”, tha zëdhënësi.