Chris Rock u rikthye në skenë të mërkurën, për herë të parë që pas ditës kur Will Smith e gjuajti me shuplakë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Oscars.
Në të parën nga dy shfaqjet e tij, ai u përshëndet nga publiku në Boston dhe duartrokitjet që zgjatën disa minuta e prekën komedianin. Me lot në sy, ai bëri shaka duke thënë “Si ishte fundjava juaj?”.
“Nuk do të flas për atë që ndodhi, kështu që nëse keni ardhur të dëgjoni këtë, kam një shfaqje të tërë që e kam shkruar para kësaj fundjave. Unë jam ende duke e përpunuar atë që ndodhi, kështu që në një moment tjetër do të flas. Dhe do të jetë serioze dhe do të jetë qesharake, por tani do të tregoj disa shaka.” – u shpreh komediani.
Aktori i humorit, aktualisht në turneun e tij “Ego Death Tour”, vazhdoi më pas performancën. Ai theksoi se po planifikon të flasë në mënyrë më të detajuar për incidentin në Oscars në një moment tjetër.
Më pas, referuar faktit nëse ka folur me Will Smith që nga ngjarja e fundjavës, Rock tha: “Unë nuk kam folur me askënd, pavarësisht nga çfarë keni dëgjuar”.
Will Smith i kërkoi publikisht ndjesë Chris Rock-ut duke e quajtur sjelljen e tij të “papranueshme dhe të pafalshme”. Akademia u shpreh se aktorit iu kërkua të largohej nga ceremonia pas incidentit, por refuzoi.
Disa burime thanë për Page Six se Rock as e ka çuar ndërmend që të ngrejë një padi kundër Will Smith.