Disa ditë më parë lajmi që stilisti i njohur, Valdrin Sahiti është i pajisur me pasaportë diplomatike pushtoi gjithë mediat.
Thuhej se këtë dokument ia kishte lëshuar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me të cilën stilisti ka një marrëdhënie të afërt.
Mirëpo, këto pretendime u hodhën poshtë nga këshilltari për media i Osmanit, i cili deklaroi se presidentja nuk ka një kompetencë të tillë.
Por, së fundmi avokati Durim Berisha i ka shkuar më thellë kësaj çështje. Më anë të një postimi në faqen e tij zyrtare në Facebook, ai ka treguar se ka paraqitur një kërkesë pranë zyrës së Kryeprokurorit të Kosovës, për të hetuar nga e ka marrë stilisti këtë pasaportë.
Ndër të tjera ai shprehet se i mbetet institucioneve të drejtesisë të vlerësojnë nëse shitja e fustanave konsiderohet interes i jashtezakonshem shtetëror.
Menjëherë pas kërkesës së avokatit ka reaguar, zyra e Kryeprokurorit, e cila ka deklaruar se kjo kërkesë është transferuar pranë Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Sipas tyre ato janë organi i cili ka kompetenca për të hetuar rastin në fjalë.
Ju kujtojmë që pasaporta diplomatike është një dokument i rëndësishëm, me të cilin mund të pajisen vetën zyrtarët më të lartë të një shteti. Duke nisur nga presidenti, kryeministri, ambasadorë e të tjerë dhe familjarë të tyre.