Bitcoin ka humbur pothuajse gjysmën e vlerës që nga niveli i lartë i nëntorit. Çmimet e kriptomonedhave vazhdojnë të bien teksa ekonomitë e mëdha kërkojnë të frenojnë popullaritetin e tyre në rritje.
Kjo situatë nuk po ndodh vetëm me Bitcoin, pasi kriptovalutat në përgjithësi kanë pasur një fillim të zymtë këtë vit. Bitcoin ra mbi 8% dy ditë më parë.
Kriptomonedha më e vlefshme në botë ka rënë me mbi 20% që nga fillimi i vitit. Në nëntor ajo u tregtua me një rekord të lartë – 68,990 dollarë.
Ethereum, kriptomonedha e dytë më e vlefshme në botë, ra me më shumë se 12% dy ditë më parë dhe po tregtohej me rreth 2,400 dollarë. Kjo shënon një rënie gati 30% që nga fillimi i vitit të ri.
Investitorët po shqetësohen për monedhat dixhitale që kur Rezerva Federale e SHBA-së sinjalizoi se mund të zbusë stimulin ekonomik.
Të enjten e javës së kaluar, Reuters raportoi se Banka Qendrore e Rusisë ka propozuar ndalimin e përdorimit të tyre si edhe ndalimin e asaj që njihet si “mining” (mining Bitcoin është procesi i krijimit të bitcoin-eve të reja duke zgjidhur probleme jashtëzakonisht të komplikuara matematikore që verifikojnë transaksionet).
Rusia është një nga vendet më të mëdha të kriptomonedhave në botë, por banka tha se monedhat dixhitale mund të përbëjnë një kërcënim për stabilitetin financiar të vendit.
Propozimi rus vjen vetëm disa muaj pasi Kina nisi masat shtrënguese në lidhje kriptomonedhën, duke ndaluar si tregtinë ashtu edhe “mining”.
Në nëntor, India tha se po përgatitej të prezantonte një projekt-ligj që do të rregullonte monedhat dixhitale, megjithëse ende nuk dihet shumë për këtë propozim.
Megjithatë, jo të gjithë janë pesimistë. Goldman Sachs – një kompani e njohur globale e investimeve bankare, letrave me vlerë dhe menaxhimit të investimeve – tha se çmimi i Bitcoin mund të arrijë më shumë se 100,000 dollarë brenda pesë viteve të ardhshme.