Gjigandi i transmetimit ka anuluar planet për të transmetuar serialin e krijuar dhe të prodhuar nga Dukesha e Sussex-it. I titulluar paraprakisht “Pearl”, shfaqja do të ndiqte aventurat e një vajze 12-vjeçare që gjen mbishkrime nga një sërë grash me ndikim në histori.
Deadline raporton se seriali ishte ende në zhvillim në Netflix dhe do të ishte shfaqja e parë e animuar e Archewell Productions, kompania e princit Harry dhe Meghan Markle. Lajmi vjen në mes të një vale shkurtimesh pasi Netflix njoftoi një rënie të abonentëve.
Projekte të tjera të Archewell janë ende duke ecur përpara, duke përfshirë dokumentarin e ardhshëm të Harry-t “Heart of Invictus”, i cili ndjek rrugëtimin e atletëve në Lojërat Invictus, të cilat u zhvilluan në Hagë, Holandë muajin e kaluar.
Për momentin, nuk dihet nëse “Pearl” do të transmetohet në rrjete të tjera. Seriali u njoftua për herë të parë korrikun e kaluar.
“Ashtu si shumë vajza të moshës së saj, heroina jonë Pearl është në një udhëtim vëtëzbulues teksa përpiqet të kapërcejë sfidat e përditshme të jetës,” tha Meghan në një deklaratë. “Jam e emocionuar që Archewell Productions, në partneritet me platformën e fuqishme Netflix, dhe këta producentë të jashtëzakonshëm, do të sjellin së bashku këtë serial të ri të animuar, i cili nderon gratë e jashtëzakonshme gjatë historisë.”