Disa njerëz që dikur ishin të afërt me Kanye West kanë deklaruar për CNN se ai ka qenë prej kohësh i magjepsur nga Adolf Hitleri dhe dikur donte t’i vendoste një albumi titullin “Hitler”.
Një person që ka bashkëpunuar me Kanye West për çështje biznesi tha për CNN se reperi krijoi një mjedis pune armiqësor, pjesërisht përmes “fiksimit” të tij me Hitlerin.
“Ai lavdëronte Hitlerin duke thënë se sa e pabesueshme ishte që ai ishte në gjendje të fitonte aq shumë pushtet dhe fliste për të gjitha gjërat e mëdha që ai dhe Partia Naziste arritën për popullin gjerman,” tha personi, i cili preferoi të qëndronte anonim për shkak të një marrëveshjeje konfidencialiteti dhe frikës së hakmarrjes nga West.
Ai tha se Kanye fliste hapur për faktin që kishte lexuar “Mein Kampf”, manifesti autobiografik i Hitlerit i vitit 1925 dhe shprehte “admirimin” e tij për nazistët, Hitlerin dhe propagandën e tyre. Sipas burimit, njerëzit në rrethin e ngushtë ishin “plotësisht të vetëdijshëm” për interesin e tij për Hitlerin.
Katër burime thanë për CNN se Kanye kishte sugjeruar titullin “Hitler” për albumin e tij të vitit 2018 i cili u publikua me emrin “Ye”.
Van Lathan Jr., një ish-punonjës i TMZ, tha po për CNN se në intervistën e reperit me TMZ në vitin 2018 – ku tha se “skllavëria është zgjedhje” – Kanye tha diçka të ngjashme si “unë e dua Hitlerin, i dua nazistët”. Deklaratën e tij TMZ e hoqi nga intervista.
Këto të dhëna të reja vijnë në një periudhë aspak të qetë për Kanye West dhe karrierën e tij, pas deklaratave të diskutueshme dhe të kritikueshme për hebrenjtë, njerëzit me ngjyrë dhe jo vetëm.