Është mbajtur sot seanca gjyqësore e Feros në Gjykatën Themelore në Gjilan, ku reperi është deklaruar fajtor se goditi me duar në shpinë të dëmtuarin A.A i cili më pas ishte detyruar të kërkojë ndihmë mjekësore në Emergjencën e Spitalit Regjional në Gjilan.
Pas leximit te aktakuzës nga prokurorja Huma Jetishi, i akuzuari Shabani ka pranuar fajësinë, duke thënë se është pajtuar me të dëmtuarin Abazi dhe se i ka kërkuar falje, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar prokurorja Jetishi.
Më pas, gjyqtari i vetëm gjykues, Veli Kyreziu ka aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e të pandehurit Feronit Shabani, për kryerjen e veprës penale sipas aktakuzës së lartcekur.
Gjyqtari Kryeziu shtoi se pranimi i fajit mbështetet në faktet e çështjes që përmban aktakuza dhe se aktakuza nuk përmban asnjë shkelje të qartë ligjore ose faktike.
Sipas aktakuzës, më 20 gusht 2021, ne rrugën e “Malishevës” në Gjilan, i pandehuri Feronit Shabani pas një mosmarrëveshje me të dëmtuarin A.A, me dashje i ka shkaktuar lëndime trupore, ashtu që i pandehuri fillimisht ndalet me veturë e tij para të dëmtuarit dhe pas një mosmarrëveshje verbale, del nga vetura dhe të njëjtin e godet me duar në shpinë.
Aktakuza thotë se për shkak të lëndimeve të pësuara, i dëmtuari kërkon ndihmë mjekësore në Emergjencën e Spitalit Regjional në Gjilan, sipas raportit mjekësor kualifikohen si dëmtime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin.
Me çka, ngarkohet se ka kryer veprën penale, lëndim i lehtë trupor nga neni 185, paragrafi 1 nënparagrafin 1.4 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në tre vite.