Mbrëmjen e djeshme në emisionin “Ëndërrtjerrësit”, kryefjala e diskutimit ka qenë emisioni “Fiks fare” dhe rrugëtimi i tij që në fillimet e transmetimit.
Kështu, të ftuar ishin të gjithë bashkëpunëtorët që kanë kontribuar në suksesin e programit satiro-investigativ, nëpërmjet moderimit apo gazetarisë së terrenit.
Ndërkohë, nga ana tjetër edhe velinat kanë qenë pjesë e rëndësishme e emisionit, të cilat e kanë patur këtë eksperiencë si një derë të hapur për mundësi të mëdha në televizion.
Një ndër to ka qenë edhe moderatorja e “Përputhen” Bora Zemani.
E pyetur lidhur me pikënisjen e këtij rrugëtimi, ajo u shpreh se e vlerëson shumë këtë eksperiencë si një trampolinë për suksesin e saj, edhe pse nuk e gjente veten në rolin e velinës.
“Unë isha shumë e turpshme, shumë e ndrojtur dhe shumë e tërhequr. “Supermodel of Albania” ka qenë eksperienca ime e parë televizive, ndërkohë më pas ka qenë “Top Fest” dhe pastaj “Fiks fare”. Unë nuk është se isha shumë tipi i velinës. Nuk e gjeja shumë veten. E kasha lënë shkollën e baletit se nuk më pëlqente më. Nuk e shikoja veten shumë mirë dhe nuk e bëja dot këtë gjë. Mirëpo kur u dha kjo mundësi u gëzova shumë sepse është një trampolinë e madhe për punën në televizion.”- ka rrëfyer ajo.