Mbrëmjen e të shtunës (24 dhjetor), nisi edicioni i dytë i “Big Brother Vip Albania” dhe mes personazheve që iu bashkuan këtij rrugëtimi është edhe aktori Amos Muji Zaharia.
Mesa duket, aktori është përshtatur shpejt me ambientin dhe banorët dhe ka ndarë një histori personale mbi betejën e tij me ankthin.
“Unë kam pasur periudha në jetën time, sidomos pas adoleshencës, që për të shkuar nga pika A në pikën B, vetëm rrugën që duhet të bëja, dridhesha kur dilja nga shtëpia, më beso”, rrëfeu aktori.
Ai shtoi edhe se ankthi e detyronte që të mos bënte edhe kontakt me sy me njerëzit, madje as me nënën e tij.
“Në një periudhë për shembull, e kisha shumë të vështirë të krijoja kontakt me sy me njerëzit, më kapte një ankth i jashtëzakonshëm, me çfarëdo lloj personi, edhe me nënën time, e shikoja në sy dhe kisha një ankth, një gjendje shumë të keqe”, tha ai, duke theksuar se nuk e kuptonte nga se i vinte kjo gjendje.
Amosi u shpreh se është shumë e rëndësishme që të përballesh me frikërat dhe të mos i shmangesh problemeve, sepse sa më shumë u ikim atyre, aq të mëdha bëhen.
“Por një gjë e kam kuptuar, për t’u shpëtuar ilaçeve. Aty ku është frika jote, aty është edhe detyra jote. Përballu në mënyrë të ndërgjegjshme me problemet e tua, me frikën. Dili përpara gogolit! Sa herë që i shmangesh një problemi, aq më i madh bëhet”, përmbylli historinë ai, duke nënkuptuar se vetëm ne e kemi në dorë që ta shpëtojmë veten, qoftë përmes forcës shpirtërore dhe vullnetit, qoftë me ndihmën e duhur.
Edhe pse Amosi ishte i mendimit se njerëzit mund ta tejkalojnë vetë këtë sfidë, sërish nuk e përjashtoi mundësinë se “është me njerëz” dhe secili e përballon dhe kalon ndryshe një përvojë të tillë.
E rëndësishme është ta identifikojmë frikën dhe ankthin dhe të duam të punojmë me të, për ta “shpëtuar veten”.
Pra, siç tha edhe Amosi, aty ku gjendet frika, aty lind detyra jonë për ta tejkaluar këtë frikë. Por, kjo nuk do të thotë që duhet ta përballojmë vetëm. Ndihma profesionale është gjithmonë aty, në mbështetjen tonë!