Meksika është përfshirë në një kaos të paparë pas arrestimit të Ovidio Guzmàn, djalit të mafiozit famëkeq “El Chapo”.
Mendohet se anëtarët e kartelit Sinaloa kanë bllokuar aeroportin dhe zona të ndryshme të qytetit Culiacan, duke protestuar për lirimin e Ovidio-s, i cili kërkohej nga qeveria amerikane për shkak të përfshirjes së tij në aktivitetet kriminale të një prej karteleve që furnizon me lëndë narkotike SHBA.
Që prej ditë së enjte, kur ndodhi arrestimi, të shtëna me armë dhe shumë trazira kanë ndodhur në Meksikë dhe qeveria meksikane po bën ç’është e mundur për të ndaluar shkëmbimin e armëve, apo zjarrvënien e makinave të qytetarëve. Qeveria i ka njoftuar qytetarët të rrinë brenda në shtëpi, si dhe shumë aeroporte nuk janë funksionalë për momentin.
Guzmàn është një element kyç i aktiviteteve të kartelit, i cili prodhon dhe shet fentanyl në Amerikë. Përdorimi i kësaj substance ka sjellë vdekjen e 71,000 shtetasve amerikanë në vitin 2021, të cilët ose e kanë përdorur atë të pastër, ose në përzierje me substanca të tjera.
“Kjo është një goditje e rëndësishmë kundrejt kartelit Sinaloa dhe një fitore e madhe për ligjin. Fatmirësisht, Meksika do ta ekstradojë atë në Amerikë”, u shpreh Mike Vigil, ish-shefi i Operacioneve Ndërkombëtare të departamentit përgjegjës për lëndët narkotike.
I njohur si “El Rato” (Miu), Guzmàn nuk ishte një prej djemve më të njohur të El Chapo-s, derisa i shpëtoi (falë protestave), një operacioni për ta kapur para tre vitesh, disa muaj pasi i ati i tij u dënua me burgim të përjetshëm në SHBA. Asokohe, e njëjta dhunë si tani, shpërtheu për në Culiacan, një prej qyteteve bastion të kartelit dhe presidenti López Obrador i dha urdhër ushtrisë që ta lironte “Miun”.
Kapja e tij vjen si rezultati i zbulimit dhe mbikëqyrjes për plot 6 muaj në territorin e kartelit. Në sajë të veprimeve të shpejta, trupat e Gardës Kombëtare vunë re disa forca të blinduara të krijuara vetë, u koordinuan me ushtrinë, vendosën perimetër rreth automjeteve të dyshimta dhe nënshtruan kontroll të detyrueshëm mbi personat që ndodheshin në automjete.
Pjesëtarët e kartelit, mes tyre edhe “Miu”, hapën zjarr, por forcat arritën t’i vinin nën kontroll.
Në korrik, forcat meksikane kapën edhe Rafael Caro Quintero, i njohur dikur si kumbar i trafikut të drogës. Dyshohet se Rafael vrau një agjent të DEA-s para tridhjetë viteve.
Tanimë, kapja e djalit të El Chapo-s, vetëm disa ditë pasi presidenti i Meksikës, López Obrador të takohej me Biden në Shtëpinë e Bardhë, u cilësua si një sinjal që tregon se presidenti meksikan është vënë sërish në ndjekje të kapove të drogës.
Burimi: /Anabel