Kur mendojmë për vdekjen, të gjithë kemi përpara syve një imazh aspak të bukur, errësirë, zymtësi, ftohtësi… Megjithatë, Jonida Maliqi zgjedh që ta shohë ndryshe atë.
Këndvështrimi pozitiv të bën ta shohësh në një mënyrë komplet tjetër jetën, por edhe vdekjen.
Këngëtarja ka qenë e ftuar së fundmi në TAR, ku ndër të tjera tregoi se dëshiron që të luhet muzikë në funeralin e saj, teksa miqtë konsumojnë shampanjë.
Jonida specifikoi pikërisht këngën “I was here” të Beyoncé.
“Kjo këngë është si një reflektim për atë çfarë ke bërë, për atë që po bën dhe për atë që do të bësh deri në momentin që do ta lije këtë botë. Sa herë flas me miqtë e mi rreth një teme paksa prekëse siç është vdekja, gjithmonë kam shprehur se do doja që kjo këngë të luhej atë ditë dhe ata të konsumonin shampanjë. Ky projekt më bën të reflektoj kur jam në qetësi ose në paqe me veten. Është shumë e çuditshme pasi më ka bërë të qaj dhe nga ana tjetër më ka bërë që të eci përpara. E kam si një terapi personale”.