James Franco ka pranuar se ka fjetur me studentet e një shkolle aktrimi të cilën ai drejtonte më parë, duke thënë se ka qenë i varur nga seksi dhe ka punuar për të përmirësuar sjelljen e tij vitet e fundit.
Në fragmente nga “The Jess Cagle Podcast” në SiriusXM të bëra publike të mërkurën, Franco, 43 vjeç, tha se teksa jepte mësim, ai “flinte me studentet dhe kjo ishte e gabuar”. Ai u shpreh se nuk e kishte krijuar shkollën për të joshur gratë për qëllime seksuale.
“Unë mendoja në atë kohë se nëse ishin dakord të dyja palët, ishte në rregull,” shtoi ai. “Në atë kohë nuk isha i qartë.”
Kjo ishte hera e parë që ai komenton në lidhje me situatën. Gati katër vjet më parë, Los Angeles Times raportoi se pesë gra e kishin akuzuar aktorin për sjellje të cilat ato i konsideronin të papërshtatshme.
Më vonë, në tetor 2019, dy gra ngritën një padi civile kundër aktorit, duke e akuzuar për shfrytëzim të njerëzve që kërkojnë të bëhen aktorë në shkollën e tij (e cila nuk ekziston më) dhe për mashtrim të vajzave të reja për të xhiruar skena seksuale.
Ai tha se kishte zhvilluar varësi ndaj seksit pasi luftoi me varësinë ndaj alkoolit që në moshë të re. Në intervistën e podcast-it, aktori shtoi gjithashtu se ishte shëruar nga varësia ndaj seksit që prej vitit 2016 dhe kishte “bërë shumë punë” pas akuzave. “Unë nuk doja të lëndoja njerëzit,” tha ai.
James Franco drejtoi ceremoninë e Oscars 2011, ndërsa në vitin 2012 ishte i nominuar për çmimin “Aktori më i mirë” për performancën në filmin “127 Hours”.