Një nga gjërat më të “frikshme” në një marrëdhënie është momenti kur dëshiron që t'i shprehësh personit tjetër se si ndihesh.
T'i thuash i pari ose e para “Të dua” personit me të cilin po takohesh është një lloj emocioni që të frikëson sepse ti ndoshta nuk e di nëse ndjenja është e ndërsjellë edhe pse mund të të ketë dhënë të gjitha shenjat e mundshme.
Sigurisht që ndjenjat nuk kanë ndonjë kohë të caktuar kur mund të shprehen sepse gjithçka është në varësi të situatave dhe personave, por që të kalosh një moment pa shumë siklet dhe aq më keq pa refuzim, është më mirë t’i konsiderosh këto këshilla.
Nëse po dyshon, atëherë përgjigja është JO, mos u shpreh, sepse dikush që të do nuk lë vend për mendime të tepërta, nëse është apo jo momenti i duhur.
Sipas ekspertëve të marrëdhënieve në çift, edhe nëse ndihesh sikur je i dashuruar, nëse shprehja e ndjenjave bëhet shumë shpejt kur ju ende nuk keni kaluar së bashku disa situata të ndryshme të jetës, gjasat janë që personi tjetër të largohet sepse mund të ndjejë një lloj presioni të madh psikologjik dhe ndoshta nuk është gati të ketë një lidhje aq shpejt.
Për shembull, rasti konkret i Donaldit dhe Beatriksës, të cilët u njohën në kushte jo të zakonshme, pa njohur njëri-tjetrin në rrethana të ndryshme të realitetit dhe pa mundësi për intimitet. Pra, ishte tepër herët për të thënë “Të dua”, pavarësisht kohës që kalonin bashkë.
Kur personi tjetër ndoshta as nuk e di mirë se çfarë do, e mira është të shmanget si bisedë deri në momentin që të jesh i sigurt. Në fund të fundit edhe marrëdhëniet kanë pak “lojë mendore” brenda dhe duhet ta luash si profesionist.
Ekspertët këshillojnë që të shmanget shprehja e dashurisë për dikë për të paktën 3-4 muajt e parë dhe kjo sigurisht në varësi të situatës dhe përkushtimit të këtij personi ndaj teje, sidomos nëse nuk jeni njohur mjaftueshëm në rrethana të ndryshme të jetës për atë periudhë.