Shtatzënia është një nga momentet më emocionuese, gjithashtu edhe një periudhë me ndryshime dramatike si fizikisht ashtu edhe psikologjikisht.
Këtë periudhë duket sikur çdokush dëshiron “të të japë mend” dhe këshilla të ndryshme (sidomos në shtatzëninë e parë) kur në fakt çdo përjetim dhe rrugëtim është ndryshe nga i dikujt tjetër.
Një mjek obstetër-gjinekolog prej më tepër se 25 vite në ShBA, Dr. A. Michael Coppa, ka dhënë këto 5 mite dhe faktet për secilën prej tyre, megjithatë, gjëja e duhur është të konsultoheni edhe me mjekun që ndiqni shtatzëninë tuaj sepse siç përmendëm më lart, çdo rrugëtim ështe i ndryshëm.
1. MIT: Shqetësimet e mëngjesit largohen rreth orarit të mesditës (është fjala për ndjesitë e lodhjes, të përzierat dhe të vjellat në fazat e para të shtatzënisë).
FAKT: Këto ndjesi dhe simptoma janë shumë normale dhe sigurisht që nuk kanë orar të caktuar, kështu që nuk ka asnjë arsye për t’u shqetësuar, përveç nëse nuk janë larguar pas 3 muajve të parë.
2. MIT: Është e rrezikshme të kryesh aktivitet fizik, të bësh ushtrime, vrap ose joga gjatë shtatzënisë sepse mund të dëmtojë embrionin ose fetusin (foshnjën e palindur).
FAKT: Mjekët kanë sugjeruar dhe do vazhdojnë të sugjerojnë që gratë shtatzëna të kenë një jetë me aktivitet nga i ulët tek ai mesatar (sigurisht nëse nuk keni asnjë ndërlikim), sepse ndihmon në një lindje më të thjeshtë dhe të shëndetshme.
3. MIT: Duhet të hiqni dorë nga kafeina për 9 muaj.
FAKT: Kafeja mund të shijohet edhe gjatë shtatzenisë, por sigurisht pa e tepruar – maksimumi një filxhan në ditë. Produktet që duhet të shmangen me patjetër, siç dihen, jane cigarja, alkooli dhe ushqimet e pagatuara.
4 MIT: Një grua shtatzënë duhet të ushqehet sa për dy persona.
FAKT: Sigurisht që duhet të rritet konsumimi i ushqimeve me kalori, por pa u tepruar sepse mund të ndikojë për keq (përveç shtimit në peshë) për nënën dhe për fetusin.
5. MIT: Nuk mund të kryhen marrëdhënie seksuale.
FAKT: Seksi në shtatzëni nuk është i rrezikshëm sipas mjekëve, përveç në rastet kur nëna ka probleme me placentën, me qafën e mitres ose problematika të tjera shëndetësore të zbuluara gjatë vizitave të kryera paraprakisht.