Gazetarja Esmeralda Keta ka qenë një nga dëshmitaret e ngjarjes tronditëse të një dite më parë në Himarë, ku një 7-vjeçare u përplas nga skafi i drejtuar nga ish-efektivi Arjan Tase.
Në një intervistë për Euronews Albania ajo rrëfeu tmerrin e përjetuar teksa në fraksion sekonde e mitura u vra tragjikisht nga mjeti lundrues i dalë nga kontrolli.
Mes lotësh Keta tregoi se si askush nuk guxonte të hynte në det për të nxjerrë trupin e të miturës e cila ishte dëmtuar shumë rëndë nga helikat e gomones.
“Ishte vetëm një turist holandez, i cili kushte qenë i angazhuar me emergjencat civile që u fut dhe e nxori trupin e pajetë. E gjitha ishte një kaos. Në atë moment të gjithë pushuesit kanë reaguar duke kërkuar llogari që askush të mos lëvizte duke i mbajtur aty deri sa të vinte policia. Se duhet thënë që sa u mor vesh se ishte drejtues policie kishte frikë për manipulim të vendit të ngjarjes. Ishte një situatë e tensionuar. Kjo tregon sa të pambrojtur jemi të gjithë. Ai ishte një plazh që frekuentohet nga familjarë, por ngjarja tregon se sa të rrezikuar jemi”
“Pasi trupi i vajzës u largua, pothuajse çdo aktivitet këtu u pezullua, muzika u fik, restorantet u mbyllën dhe ështe emocionuese, më ka mbetur ne mendje fytyra e nënës së asaj vajzës që në një moment të rëndë që unë shkova për ta ngushëlluar, ajo gjeti kurajon për të më thënë ‘mos lini t’ju marrë përditshmëria, shijojini fëmijët, unë e humba timin’“, rrëfeu gazetarja dëshmitare e ngjarjes.
Ngjarja e rëndë ndodhi pas mesditës së të martës në plazhin e Potamit ku një fëmijë e mitur u përplas për vdekje teksa ishte në breg, nga një skaf i cili drejtohej nga shtetasi Arjan Tase.
Ai mbante detyrën Shef Seksioni i Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan dhe pas kësaj ngjarjeje, është përjashtuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano.